Në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u zhvillua promovimi i librit studimor të Prof. Shpëtim Cami, “Dinamikat komplekse të hapësirave të lirisë”, një botim me vlera të veçanta në fushën e mendimit akademik dhe filozofik.
Në panelin e diskutimit morën pjesë figura të njohura të botës akademike dhe kulturore si Prof. Blendi Lami, Prof. Belfjore Qose, dhe drejtoresha e Qëndrës Kulturore të Librit dhe Leximit znj. Alda Bardhyli, të cilët sollën reflektime mbi rëndësinë e këtij botimi dhe qasjen e tij novatore ndaj konceptit të hapësirave të lirisë.
Gjatë takimit u theksua roli i librit studimor dhe akademik si një gur themeli për zhvillimin intelektual dhe shkencor të shoqërisë. Panelistët theksuan se “Dinamikat komplekse të hapësirave të lirisë” është një kontribut i çmuar që nxit dialogun dhe analizën kritike në mjedisin universitar dhe përtej saj.
Takimi u shoqërua me një bashkëbisedim të frytshëm mes të ftuarve dhe vetë Prof Camit. Profesori shprehu falënderime të përzemërta për QKLL-në, panelistët dhe të pranishmit, duke theksuar se kontributi i tij në kërkimin shkencor, arsimin e lartë dhe librin studimor është një mision që do të vijojë pa u shteruar.