Kolegji Universitar i Biznesit mirëpriti znj. Armela Krasniqi, Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), në një leksion të hapur me studentët dhe stafin akademik.
Me përvojën e saj të gjatë në fushën e gazetarisë dhe disa vite në drejtimin e institucionit rregullator të mediave audiovizive, znj. Krasniqi ndau një perspektivë të thelluar dhe profesionale mbi funksionimin, rolin dhe misionin e AMA-s në peizazhin mediatik shqiptar.
Gjatë leksionit, ajo listoi parimet bazë që udhëheqin punën e Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë institucionale, transparencës, përgjegjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik.
Znj. Krasniqi vuri në dukje se synimi kryesor i AMA-s është krijimi i një mjedisi mediatik të sigurt, të ndershëm dhe të balancuar, ku standardet profesionale dhe etika e komunikimit të jenë prioritet.
Ajo ftoi studentët drejt një ndërgjegjësimi më të madh qytetar dhe profesional, duke i inkurajuar që të raportojnë pranë institucionit çdo shkelje flagrante që hasin në mediat audiovizive.
Sipas saj, vetëm përmes pjesëmarrjes aktive dhe reagimit të komunitetit mund të ndikojmë realisht në përmirësimin e cilësisë së medias në vend.
Takimi u shoqërua me diskutime të hapura, pyetje nga studentët dhe reflektime mbi sfidat aktuale të komunikimit modern, duke e bërë këtë aktivitet një mundësi të vlefshme për të gjithë të pjesëmarrësit.