Në kuadër të Muajit të Letërsisë, pranë ambienteve të Kolegjit Universitar të Biznesit u zhvillua një leksion i hapur mes Drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, dhe studentëve e stafit akademik të KUB.
Ky takim solli një atmosferë të veçantë reflektimi mbi rolin e leximit, librit studimor dhe zhvillimit të mendimit kritik te studentët. Diskutimi solli perspektiva frymëzuese dhe inkurajoi të rinjtë drejt një angazhimi më të thelluar kulturor dhe akademik.
Gjatë aktivitetit, u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes KUB dhe QKLL, duke vendosur një urë të re mes arsimit të lartë dhe promovimit të kulturës letrare.
Marrëveshja përfshin:
- Angazhimin e kapaciteteve njerëzore për organizimin e aktiviteteve si promovime librash, leksione të hapura, trajnime e seminare;
- Zhvillimin e praktikave mësimore për studentët;
- Hartimin dhe zbatimin e projekteve me interes të përbashkët;
- Pjesëmarrje si partnerë në aktivitete publike;
- Promovimin dhe mbështetjen e kërkimit shkencor;
- Tryeza dhe diskutime për prezantimin publik të punës akademike.
Prof. Dr. Ylber Bezo, Rektor i KUB, shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim të rëndësishëm, duke e cilësuar si një hap konkret drejt fuqizimit të kulturës së leximit dhe rolit të universitetit si qendër dijesh dhe mendimi.