Ditën e sotme, datë 29.01.2018, në ambientet e Akademisë Profesionale të Biznesit u zhvillua leksioni i hapur me temë: Shteti dhe e drejta në epokën e Skënderbeut. Leksioni u mbajt nga Dr. Ilirjana NANO, përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Publike në FD të APB.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të vitit të Skënderbeut, që përkon me 550 vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombetar.
Në fokus të leksionit ishin organizimi shtetëror i Lidhjes së Princave Shqiptarë që nga krijimi i Lidhjes në Lezhë më 2 mars 1444, deri në vdekjen e Skënderbeut si dhe sistemet e së drejtës që vepronin në Arbëri në këtë periudhë, duke u përqendruar tek e drejta pozitive dhe ajo zakonore.
Nje vëmendje e veçantë iu kushtua edhe marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit të Skënderbeut, në veçanti traktatet e lidhura me Republikën e Venedikut më 1448 dhe me mbretin Alfons të Napolit (Traktati i Gaetës) më 1451, ku në rastin e parë Lidhja e Princave del për herë të parë dhe të vetme si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në rastin e dytë ishte vetë Skënderbeu si përfaqësues i Principatës së Kastriotëve subjekt.
Leksioni u mirëprit nga studentët dhe pedagogët e pranishëm dhe nxiti diskutime dhe pyetje rreth çështjeve të cilat u trajtuan.
Në përfundim u vlerësua nevoja për një shtim të aktiviteteve në kuadër të vitit të Skënderbeut, për të ndriçuar edhe më tepër aspekte të jetës dhe veprimtarisë së heroit tonë kombëtar.