Erasmus Fair & Info Session – Një Ditë Frymëzimi dhe Bashkëpunimi Evropian në Arsimin e Lartë
Në mjediset e Europe House në Tiranë u zhvillua sot një nga aktivitetet më të rëndësishme të promovimit të arsimit të lartë dhe ndërkombëtarizimit në Shqipëri: Erasmus Fair and Info Session, një event i organizuar në kuadër të programit Erasmus+, me praninë e shumë institucioneve të arsimit të lartë nga vendi.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kolegji Universitar i Biznesit, i përfaqësuar me stendën e vet institucionale, duke paraqitur përpara të rinjve dhe aktorëve të arsimit arritjet e deritanishme në fushën e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik në kuadër të programit Erasmus+.
KUB është kthyer në një shembull suksesi për mënyrën si e ka integruar ndërkombëtarizimin në strategjinë e tij akademike, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi me universitete partnere në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Eventi u nderua nga prania e Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, i cili theksoi rëndësinë që ka programi Erasmus+ për afrimin e studentëve shqiptarë me standardet dhe përvojat evropiane të edukimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.
Përmes pjesëmarrjes së saj, KUB tregoi edhe një herë përkushtimin ndaj rritjes së cilësisë akademike dhe fuqizimit të dimensionit evropian në arsimin e lartë. Me një numër gjithnjë në rritje studentësh dhe pedagogësh që kanë përfituar nga mobiliteti në vendet e BE-së, KUB vazhdon të jetë një promotor i fortë i eksperiencave ndërkulturore, rritjes së kompetencave ndërkombëtare dhe hapjes së perspektivave të reja për të rinjtë shqiptarë.
Erasmus Fair ishte gjithashtu një mundësi për të vendosur kontakte të reja, për të ndarë përvoja suksesi dhe për të diskutuar ide e projekte të përbashkëta që forcojnë më tej komunitetin akademik evropian.
KUB mbetet i angazhuar në misionin e tij për të sjellë Evropën më afër studentëve shqiptarë dhe për të ndërtuar një arsimi të lartë modern, gjithëpërfshirës dhe të hapur ndaj botës.