Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Kolegji Universitar i Biznesit në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, organizuan një leksion të hapur ndërgjegjësues dhe edukativ, me pjesëmarrjen e studentëve dhe stafit akademik të këtij institucioni, i zhvilluar në ambientet e Kinema Maks Velo.
Rektori i Kolegjit Universitar të Biznesit, Prof. Dr. Ylber Bezo, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Zyrën e Komisionerit, duke nënvizuar se mbrojtja e të dhënave personale përbën një komponent thelbësor të formimit profesional dhe qytetar të studentëve dhe jo vetëm në epokën digjitale.
Gjatë leksionit, Komisioneri Z. Besnik Dervishi theksoi se “të dhënat personale janë identiteti ynë” dhe se përpunimi i tyre duhet të bëhet me kujdes, përgjegjshmëri dhe në përputhje të plotë me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke evidentuar rolin e Zyrës së Komisionerit si autoritet mbikëqyrës në fusha të ndjeshme.
Drejtorja e Kabinetit, Znj. Besa Velaj, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Znj. Blerta Nerguti, prezantuan rrugëtimin e miratimit të ligjit nr. 124/2024, përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe GDPR, si dhe rëndësinë e këtij ligji në procesin e integrimit evropian dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë kuadër, u theksua gjithashtu marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Kolegjit Universitar të Biznesit dhe Zyrës së Komisionerit, e fokusuar në trajnimin profesional për Nëpunësin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale (DPO). Ky bashkëpunim ka rezultuar deri më tani në interes dhe angazhim të lartë, si dhe në cilësi të qëndrueshme të programeve trajnuese, për të cilat KUB shpreh krenarinë e tij.