Agroturizmi, si një formë alternative e turizmit në mjedise rurale, është shndërruar në një
motor të rëndësishëm për zhvillimin lokal, veçanërisht në vitet e fundit. Ai nxit përfshirjen
aktive të komunitetit dhe përfaqëson një mekanizëm efektiv për shumëllojshmërinë
ekonomike të zonave rurale, duke ndihmuar në ruajtjen e identitetit kulturor dhe natyror të
tyre. Gratë zënë një vend të veçantë në këtë zhvillim, pasi përmes përfshirjes së tyre në
agroturizëm, ato përfitojnë mundësi të reja për sipërmarrje, duke forcuar pozitën e tyre
ekonomike dhe pjesëmarrjen në jetën sociale të komunitetit. Ato kontribuojnë ndjeshëm në
ofrimin e produkteve tradicionale, menaxhimin e fermave pritëse, si dhe në promovimin dhe
ruajtjen e trashëgimisë kulturore vendase. Roli i tyre është thelbësor edhe në nxitjen e
inovacionit dhe praktikave të qëndrueshme në turizmin rural. Në të njëjtën kohë, përparimi
teknologjik dhe digjitalizimi i ekonomisë kanë ndryshuar mënyrën se si zhvillohen aktivitetet
turistike dhe si operojnë bizneset në këtë sektor, përfshirë edhe ato të agroturizmit. Mjetet
digjitale janë bërë të domosdoshme për promovimin, menaxhimin dhe rritjen e efikasitetit
të këtyre nismave. Megjithatë, qasja në teknologji nuk është e njëtrajtshme për të gjithë
aktorët. Gratë, sidomos në zonat rurale, përballen me pengesa të shumta, si mungesa e
aksesit në financime, trajnimet e kufizuara profesionale dhe mungesa e njohurive
teknologjike. Ky punim ka për qëllim të shqyrtojë literaturën ekzistuese lidhur me
përfshirjen e grave në agroturizëm, duke analizuar si sfidat me të cilat ato përballen, ashtu
edhe mundësitë që lindin në kontekstin e transformimit digjital. Nëpërmjet një analize të
praktikave dhe politikave ndërkombëtare, identifikohen faktorët që ndikojnë në fuqizimin e
grave në këtë fushë dhe vlerësohen mekanizmat që mund të përmirësojnë pozicionin e tyre
ekonomik dhe social. Në përfundim, ndonëse gratë përballen me vështirësi të shumta në
këtë sektor, potenciali i tyre për të nxitur zhvillimin ekonomik lokal dhe për të promovuar
modele të qëndrueshme të turizmit mbetet i madh. Mbështetja përmes politikave të
targetuara, qasja në edukim cilësor dhe sigurimi i mjeteve financiare janë elementë
thelbësorë për të forcuar rolin e tyre dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre aktive në
agroturizëm.
Fjalë kyçe: gratë, agroturizmi, barazia gjinore, sipërmarrja rurale, zhvillimi i qëndrueshëm,
transformimi digjital
Ky sajt interneti përdor Cookies!
Duke klikuar “Prano të gjitha”, ju pranoni ruajtjen e skedarëve të personalizimit në pajisjen tuaj për të përmirësuar navigimin në faqe, për të analizuar përdorimin e sajtit dhe për të ndihmuar në përpjekjet tona të marketingut.