Turizmi përbën një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë globale, si në aspektin e prodhimit të përgjithshëm ashtu edhe në krijimin e vendeve të punës. Megjithëse gjatë dekadave të fundit kjo industri ka përjetuar një rritje të ndjeshme dhe të qëndrueshme, zhvillimi i saj i shpejtë ka sjellë edhe pasoja të konsiderueshme për mjedisin. Ndotja, konsumimi i burimeve natyrore dhe degradimi i ekosistemeve janë ndër shqetësimet kryesore që kanë nxitur nevojën për të rivlerësuar mënyrat se si turizmi ndërvepron me natyrën dhe komunitetet lokale. Shfrytëzimi i burimeve natyrore, ndotja, mbingarkesa e destinacioneve të njohura, dhe humbja e biodiversitetit janë disa nga pasojat e turizmit masiv. Për këtë arsye, ka pasur një rritje të kërkesës për një formë turizmi që jo vetëm që i përgjigjet nevojave të turistëve, por gjithashtu respekton mjedisin dhe ndihmon në ruajtjen e pasurive natyrore dhe kulturore për brezat e ardhshëm. Turizmi i gjelbër, i njohur gjithashtu si turizëm i qëndrueshëm ose eko-turizmi kontribuon në ruajtjen e burimeve natyrore, promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore dhe nxitjen e ekonomive lokale. Politikat dhe strategjitë e hartuara nga qeveritë luajnë një rol thelbësor në nxitjen dhe zhvillimin e turizmit të gjelbër. Qeveritë mund të nxisin turizmin e qëndrueshëm përmes politikave mbështetëse, zhvillimit të infrastrukturës me ndikim të ulët mjedisor dhe stimujve fiskalë për bizneset që zbatojnë praktika të qëndrueshme. Qeveritë mund të ndërmarrin masa për të sensibilizuar vizitorët, operatorët turistikë dhe komunitetet lokale mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Duke analizuar politikat e zbatuara nga qeveritë në mbështetje të turizmit të gjelbër, me fokus të veçantë në rregullat e qëndrueshmërisë, zhvillimin e infrastrukturës ekologjike, incentivat fiskale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, punimi hedh dritë mbi rolin e qeverisë në këtë fushë. Gjetjet e punimit ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si politikat e qëndrueshmërisë mund të zbatohen në praktikë, duke ndërtuar një turizëm që mbron mjedisin dhe forcon ekonominë lokale përmes përfshirjes së komuniteteve.
Fjalë kyçe: Turizëm i Qëndrueshëm, Politika Qeveritare, Incentiva Fiskale, Edukimi dhe Ndërgjegjësimi, Bashkëpunimi Ndërkombëtar, Zhvillimi i Qëndrueshëm