Revista Shkencore


I dashur lexues!

Të nderuar miq, studiues, autorë dhe bashkëpunëtorë!

Është kënaqësi e veçantë për mua që të përshëndes nisjen e një Reviste Shkencore Ndërkombëtare të emërtuar “Revista Shkencore e Studimeve Profesionale”, si botim i Kolegjit Universitar të Biznesit (KUB) Tiranë, Shqipëri. Kjo revistë, si organ teoriko-shkencor i Kolegjit Universitar të Biznesit, nis historikun dhe udhën e saj me botimin e numrit të parë, si materializim i një përpjekje dinjitoze nga i gjithë stafi i Kolegjit Universitar të Biznesit në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë. Si e tillë, ajo ofron për lexuesit një dritare të re për të parë më nga afër vizionin, synimet, objektivat dhe misionin e Kolegjit Universitar të Biznesit, nga njëra anë, dhe kontributin e saj për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë e më gjërë, nga ana tjetër. Kolegjit Universitar i Biznesit e filloi aktivitetin e vet si institucion i arsimit të lartë në vitin 2011 dhe deri në ditët e sotme ajo arriti të konfirmohet si një institucion serioz dhe me rezultate mjaft pozitive në botën akademike dhe atë shkencore të vendit tonë. Aktualisht, Kolegjit Universitar i Biznesit është e organizuar me tre fakultete; Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Drejtësisë dhe Kolegjin e Studimeve të Larta Profesionale, ku ofrohen diploma në nivelin Profesional, Bachelor, Master Profesional dhe Master i Shkencave. Kolegjit Universitar i Biznesit zhvillon mësim në nëntë programe mësimore nga të cilat shtatë janë të akredituara dhe dy janë në proces akreditimi. Ai vazhdon të zgjerohet duke kërkuar hapjen e programeve të reja, të cilat i përgjigjen më së miri profilit të saj, si dhe nevojave dhe kërkesave të tregut të punës. Stafi akademik dhe shkencor i Kolegjit Universitar të Biznesit është i organizuar në departamente dhe qendra kërkimore shkencore. Ai është një staf me grada dhe tituj shkencorë, me pedagogë me përvojë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, si dhe pedagogë të rinj, të cilët vazhdojnë intensivisht kualifikimet e tyre për grada e tituj shkencore. Studentët e Kolegjit Universitar të Biznesit janë cilësorë dhe punojnë seriozisht për përvetësimin e dijeve shkencore dhe bazat e kërkimit shkencor. Auditori ku janë shpallur dhe ballafaquar rezultatet e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore të stafit të KUB dhe bashkëpunëtorëve të saj, vendas dhe të huaj janë konferencat shkencore. KUB ka arritur të organizojë me dinjitet dhe seriozitet katër konferenca shkencore ndërkombëtare të përvitshme. Punimet kryesore të Konferencës III shkencore ndërkombëtare të Kolegjit Universitar të Biznesit, mbajtur në prill të vitit 2015 botohen në këtë numër të parë të Revistës sonë shkencore.

Kolegjit Universitar të Biznesit, si Institucion i Arsimit të Lartë, ka nënshkruar një seri marrëveshjesh bashkëpunimi me shumë institucione evropiane të arsimit të lartë dhe akademi shkencore evropiane, si dhe një sërë marrëveshjesh me partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë duke i dhenë një dimension shume atraktiv misionit të saj. Për këtë arsye, revista do të shërbejë edhe si një instrument bashkëpunimi në kuadrin e programeve të arsimimit dhe kualifikimit shkencor. Si rezultat i këtyre bashkëpunimeve bëhet e mundur njohja e krediteve dhe vazhdimi i studimeve të mëtejshme apo internshipeve nga studentët tanë në universitetet evropiane partnere

dhe anasjelltas. Mjaft pedagogë të huaj, personalitete politike, shkencore dhe ambasadorë kanë organizuar veprimtari të përbashkëta me KUB, ku janë mbajtur referate dhe leksione të hapura.

Revista me rubrikat e saj do të ofrojë mundësinë e debatit akademik për problemet që

shqetësojnë shoqërinë tonë duke qenë e orientuar në krijimin e shanseve drejt rrugës së

konsolidimit të dijeve e praktikave në interes për vendin dhe shoqërinë. Kështu, ajo do të jetë në të njëjtën kohë edhe një mjet teoriko-shkencor për të gjitha ata që i janë futur rrugës së krijimtarisë dhe kualifikimit shkencor, pasi revista përmbush të gjithë standardet dhe kriteret kombëtare e ndërkombëtare. Revista është e hapur për të gjithe krijuesit, studiuesit, akademikët e studentët, brenda e jashtë vendit, të cilët mendojnë dhe dëshirojnë që mendimet dhe kontributi i tyre të ndikojë në krijimin e vlerave të reja në fushën e menaxhimit të dijeve, sistemit legjislativ, zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit, si dhe shoqërisë në tërësi.

Në ketë kuptim revista do të shërbejë si një mjet komunikimi me të gjithë kërkuesit shkencorë, me pedagoget, studiuesit, ekspertet e fushave të ndryshme të biznesit e të së drejtës, por edhe nga studentët, duke synuar krijimin e një fryme bashkëpunimi për të ndihmuar gjithnjë e më shumë lidhjen e programeve të arsimimit me kërkesat e ekonomisë së tregut dhe të shoqërisë në tërësi. Ky botim i parë do të pasohet nga botime të tjera periodike të Revistës, duke paraqitur arritjet e kërkimeve dhe hulumtimeve tona shkencore.

Rrugë të mbarë “Revistës Shkencore të Studimeve Profesionale”!

Share This: